DEKLARATË E UNIONIT TË BASHKIVE SHQIPTARE TË RAJONIT PËR KRIJIMIN E QYTETEVE TË QËNDRUESHME NËPËRMJET NISMAVE TË GJELBRA - 19 shkurt 2018

Ne, Kryetarët e Komunave, të Prishtinës, Preshevës, Tetovës, Ulqinit, Gostivarit, Prizrenit dhe Bashkive të Tiranës dhe Fierit, u mblodhëm me vullnetin e mirë për të vazhduar bashkëpunimin e fortë dhe afatgjatë të ‘Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon’.
 
U pajtuam mbi nevojën e ndërmarrjes së hapave për konkretizimin e objektivave të matshme për ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në kuadër të nismave për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve tona.
 
Duke bashkuar forcat, duke mësuar nga përvojat e përbashkëta dhe duke mbështetur njëri-tjetrin zotohemi:
 
• Të rrisim sipërfaqet e gjelbra, nëpërmjet mbjelljes së përvitshme të pemëve në raportin 1 pemë për 10 banorë;
 
• Të nxisim përdorimin e biçikletave si mjete alternative dhe më të pastra transporti nëpërmjet:
- Ndërtimit të shtigjeve të dedikuara dhe më të sigurta për biçikleta, në raportin 1 kilometër për 100.000 banorë;
- Punës për ngritjen e sistemit ‘Bike & Share’, në raportin 1 biçikletë për 2500 banorë;
 
• Të përmirësojmë cilësinë e ajrit duke zhvilluar monitorime të vazhdueshme, me qëllim ruajtjen e parametrave mjedisorë të vendosur nga Bashkimi Evropian;
 
• Të organizohet nisma “Dita pa Makina” në secilin qytet, në frekuencën 1 herë në 3 muaj (4 herë në vit) për të rritur ndërgjegjësimin qytetar në mbrojtjen e ambientit;
 
• Të punohet në përgatitjen e infrastrukturës së përshtatshme për furnizimin me energji të makinave dhe autobusëve elektrikë duke nxitur përdorimin e këtyre mjeteve ekologjike të transportit.
 
Jemi të bindur se nëpërmjet kësaj platforme bashkëpunimi duke krijuar sinergji mes bashkive dhe komunave tona mund të ecim më shpejt drejt zhvillimit të qyteteve më të pastra, të shëndetshme dhe të sigurta për qytetarët.
 
Prishtinë, 17 shkurt 2018
 
Shpend Ahmeti – Komuna e Prishtinës
Erion Veliaj – Bashkia e Tiranës
Teuta Arifi – Komuna e Tetovës
Shqiprim Arifi – Komuna e Preshevës
Mytaher Haskuka – Komuna e Prizrenit
Arben Taravari – Komuna e Gostivarit
Arian Murati – (zv) Komuna e Ulqinit
Armando Subashi – Bashkia e Fierit

RSS